Në datë 20.09.2022, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “Stop” në televizionin kombëtar Klan

Në datë 20.09.2022, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “Stop” në televizionin kombëtar Klan, janë shfaqur regjistrime audio-vizive, ku shtetasi D. N. (ish i dënuar) dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve implikohen në veprime korruptive, konkretisht lëshimin e një dëshmie penaliteti, duke pasqyruar të dhëna të rreme, kjo me qëllim përfitimin e vlerave monetare.
Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në lidhje me rastin ka nisur një hetim të thelluar penal, në konsultim me prokurorin e gatshëm, ku nga veprimet e para hetimore është dokumentuar me prova ligjore mekanizmi i përdorur nga punonjësit e administratës dhe punonjësit e policisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të cilët dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprave penale.
Sa më sipër, nga SHKBB në datë 21.09.2022, janë dërguar materialet procedurale pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përkatësisht në ngarkim të:
-Shtetasit A.T. me detyrë specialist i Sektorit të Gjendjes Gjyqësorë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuara nga nenet 259 dhe 186/3 të Kodit Penal (i shpallur në kërkim policor).
-Shtetasit D.N. (ish i dënuar) i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, (i shpallur në kërkim policor).
-Shtetasit F.H, me detyrë punonjës i rolit bazë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, (në gjendje të lirë).
Gjithashtu, SHKBB vijon hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar veprimtarinë e kundërligjshme të të gjithë shtetasve të implikuar me rastin e mësipërm dhe mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *