Tiranë – Zhvillohet takimi rajonal për parandalimin e kultivimit të kanabisit

Tiranë/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë takimit rajonal të zhvilluar paraditën e sotme, për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të kanabisit, ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave vendore, zero tolerancë ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjithashtu, Drejtor Nano ka theksuar se do të jetë shumë i ashpër ndaj cilitdo që do të tregojë neglizhencë apo më keq akoma, do të lejojë dhe do të bëhet palë me ata persona që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike.

Në territoret ku do të konstatohet kultivim i bimëve narkotike dhe struktura vendore e Policisë nuk ka informacion, por informacioni është siguruar nga qendra apo agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, masat ndaj drejtuesve të strukturave vendore do të jenë shumë të ashpra.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi Ministrin Çuçi, për mbështetjen, dhe e siguroi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe qartësisht e orientuar në përmbushjen e prioriteteve.

Gjatë prononcimit që dha ministri Bledi Çuçi, për median, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano iu përgjigj pyetjes së një gazetari:

Pyetje: Z. Nano, a ka përfunduar faza e ndryshimeve në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, pas lëvizjeve të fundit që keni bërë, lidhur me ngjarjet kriminale, situatën e rendit dhe të sigurisë?

Nano: Ndryshimet nuk bëhen me faza, në fakt. Faleminderit për pyetjen dhe për t’u qartësuar dhe opinioni publik, ndryshimet bëhen për të rritur performancën e Policisë së Shtetit, për të kërkuar edhe më shumë rezultate nga drejtuesit e rinj që vijnë apo marrin përsipër apo angazhohen dhe urdhërohen për të marrë detyra të caktuara. Por, sa herë do të ketë nevojë, Policia e Shtetit do të ketë ndryshime, me qëllimin e vetëm për të arritur ato rezultate dhe për të arritur ato objektiva që ne presim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *