PROCEDURAT E ANKESAVE

PROCEDURA E ANKESAVE

Forma e ankesës mund të jetë formale, e cila nënkupton aspektin shkresor të administrimit; ose jo formale, e cila nënkupton ankimin në mënyrë verbale përpara punonjësit të SHKBB-së, apo nëpërmjet telefonit. Administrimi i ankesave bëhet pranë Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në rrugë shkresore ose elektronike.

Administrimi në rrugë shkresore ka të bëjë me ankesat e ardhura nëpërmjet adresës zyrtare email info@shkbb.gov.al, postës zyrtare ose në çdo formë tjetër të shkruar. Të gjitha ankesat që administrohen dhe merren në trajtim nga SHKBB regjistrohen me një Numër Unik, i cili shërben për ndjekjen në vazhdimësi të rastit, nga administrimi i ankesës deri në përfundimin e verifikimit dhe kthimin e përgjigjes ankuesit mbi hetimin administrativ apo penal sipas rastit.

Ankesa e ardhur nëpërmjet adresës së email-it info@shkbb.gov.al, postës zyrtare ose në çdo formë tjetër të shkruar, protokollohet pranë sekretarisë së strukturës së Shërbimit ku është adresuar ankesa.

Administrimi në rrugë elektronike ka të bëjë me ankesat e ardhura nëpërmjet telefonit në numrin 044204020, paraqitjes së shtetasve pranë drejtorisë së SHKBB-së, publikimit në median vizive/elektronike, apo forma të tjera. Këto ankesa regjistrohen sipas procedurave përkatëse.

Në rastet kur pretendimet e ngritura në ankesë nuk janë objekt shqyrtimi i SHKBB-së, rasti i kalon për trajtim dhe kompetencë institucionit përkatës dhe shtetasi informohet në lidhje me këtë fakt.

Hetimi Administrativ i Ankesës

Punonjësi i Shërbimit kryen hetimin administrativ nëpërmjet;

  • identifikimit dhe intervistimit të punonjësve që pretendohet se kanë kryer shkelje,
  • identifikimit dhe intervistimit të personave që kanë qenë prezent në ngjarje,
  • intervistimit të ankuesit më lidhje me prova që sqarojnë rrethanat e ngjarjes,
  • kqyrjes së dokumentacionit,
  • kërkimit të informacionit nga strukturat që kanë për detyrë trajtimin e problematikës në fjalë,
  • komunikimit shkresor me struktura të tjera, të cilat kanë dijeni apo disponojnë të dhëna në lidhje me verifikimin e ankesës
  • administrimit kundrejt procesverbalit përkatës të çdo prove që shërben për verifikimin e ankesës

Kur gjatë hetimit administrativ të ankesës konstatohen elementë të veprës penale, punonjësi kryen njëkohësisht hetimin penal, deri në referimin e veprës penale në prokurori.

Trajtimi dhe verifikimi i ankesës bëhet brenda 30 ditësh nga momenti i administrimit të saj.