Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve
Në kontekstin e legjislacionit ekzistues mbi sistemin e burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në vitin 2005 është miratuar për herë të parë ligji nr. 9397, datë 12.05.2005 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”’, shpallur me dekretin nr.4602, datë 1.6.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu. Ky ligj bënte të mundur përcaktimin e organizimit, funksionimin, detyrat dhe fushën e veprimtarisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Që prej vitit 2005, inspektorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, menjëherë pas daljes së këtij ligji, raportojnë pranë Ministrit të Drejtësisë mbi zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit penitenciar.
Sa i përket kuadrit ligjor, në vitin 2020 janë propozuar disa ndryshime për të përmirësuar legjislacionin, e konkretisht:
- Mbrojtjen e veprimtarisë së mundshme kriminale dhe të kundërligjshme të kryer nga çdo punonjës i strukturave, pavarësisht nga funksioni.
- Trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave të publikut, kontrollin e pasurisë së pajustifikueshme të personave objekt hetimi, ruajtjen e integritetit të punonjësve, si dhe veprimtarinë kërkimore me qëllim dhënien e rekomandimeve dhe të sugjerimeve për përmirësim në aspekte të organizimit dhe funksionimit të strukturave dhe pritshmërisë së publikut në kuadër të rendit e sigurisë në burgje.
- Përzgjedhjen e drejtuesit të shërbimit, karakterin etik, moral, paanësinë politike, pavarësinë nga drejtimi i strukturave që mbikëqyr dhe kontrollon, duke garantuar zbatimin e parimeve të pavarësisë dhe depolitizimin e Shërbimit.
- Fushat e veprimit të veprimtarisë informative, gjurmuese dhe asaj hetimore.
- I kushton vëmendje të veçantë trajtimit e shqyrtimit të ankesave të të paraburgosurve, të dënuarve dhe qytetarëve.
- Përqasjen proaktive të hetimit të korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit.